Nga Gjergj Vyshka 07.06.2016 17:05
Një shprehje e urtë popullore thotë “përsëritja është mama e dijes dhe baba e mërzisë”. E megjithatë ia vlen të përsëritet, sepse që nga seminari i fundit që Drejtoria e Sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka zhvilluar për antidopingun asgjë nuk është reflektuar. E kjo të paktën në zyrën e shtypit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Sepse nëse është lajmëruar kohë më parë për një konferencë në mjediset e Hotel “Tirana International” për një studim për treguesit antropometrikë tek parauniversitarët të moshës 6, deri në 18 vjeç në të cilin ishte dhe zëvendësministri i sporteve Rauf Dimraj, kështu duhet të ishte lajmëruar dhe për këtë seminar antidopingu.
Jemi dy muaj përpara Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” dhe si i tillë duhet të kishte marrë rëndësinë e duhur, pasi shtypi i shkruar, apo viziv, nuk ka pse të marrë informacion nga burime të tjera ose thënë ndryshe nga burime të tërthorta. Sigurisht janë të rëndësishme qoftë projekti “Toefli Junior”, apo dhe “Clean Score” për kontrollin elektronik të provimeve.
Por në të njëjtën kohë edhe seminaret e antidopingut, sidomos për sportin, janë po aq të rëndësishme. Gjithnjë nëse Drejtoria e Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nuk është e “hasmit”. Në të kundërt ne si shtyp do të vijojmë t’i marrim vesh veprimtaritë e kësaj drejtorie jo më nga komunikatat për shtyp, por nga palë të dyta e të treta…