Gjergj Vyshka 04.06.2016 19:05
Në moshën 74-vjeçare, teksa vuante prej 32 vjetësh nga sëmundja e Parkinsonit, dje në Feniks ka pushuar së rrahuri zemra e tre herë kampionit të botës në sportin e dorezave në peshën e rëndë. Shuhet legjenda e boksit botëror Muhamed Ali, ndërsa miti i sportit të dorezave është shuar të shtunën në mëngjes në një spital të Feniksit në Arizona, ndërsa ishte shtruar atje që nga e enjtja e kaluar.
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda dhe në të njëjtën kohë Medalja e Artë në Lojërat Olimpike “Romë 1960”, ish-Kasius Marselius Kleji Xhunjor, ishte 74 vjeç dhe prej vitesh vuante nga “Parkinsoni”. Ka lindur në Ljuisvill[ në Kentaki. E kishte lënë boksin më 1981 dhe ka ndryshuar emrin e tij në Muhamed Ali më 1964 pasi ishte konvertuar në mysliman.
Simboli i lëvizjes për lirinë e njerëzve me ngjyrë gjatë viteve 1960 kishte sfiduar edhe qeverinë duke mos pranuar thirrjen për në ushtri për motive religjioze. Gjë që i ka kushtuar fillimisht një dënim me burg prej pesë vjetësh, si dhe largimin nga boksi. Në 61 ndeshje të zhvilluara ka një rekord më vete me 56 fitore prej të cilave 37 janë me “KO”. Në humbjet e tij numërohet vetëm një me “KO”.