AlbanianSport.com 03.06.2016 23:15
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra ka kurorëzuar Flamurtarin si “kampionen” e këtij sezoni, pasi vlonjatet e kanë fituar ndeshjen e pestë dhe të fundit të finales së “play-off”-it për titull ndaj Goga Basketit, duke triumfuar të premten me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Ky ishte titulli i 4-t radhazi për Flamurtarin dhe i 20-ti gjithsej në historinë e koshit shqiptar të femrave.
Është luajtur të premten takimi i radhës e pestë dhe të fundit i finales e “play-off”-it për titullin “kampion” dhe skuadra e Flamurtarit ka triumfuar me shifrat 75-62 ndaj Goga Basketit dhe duke u shpallur kështu kampione e Shqipërisë në basketboll për femra. Ky ishte titulli i 20-ti gjithsej në historinë e koshit shqiptar të femrave dhe i 4-ti radhazi për Flamurtarin.
Ndeshja e së premtes ka qenë kryesisht e barazpeshuar në shumicën e saj, me vendaset që e kanë fituar pjesën e parë, 15-12, dhe, ndonëse durrsaket e fitojnë të dytën 18-16, është Flamurtari që shkon në pushim me një epërsi njëpikëshe, 31-30. Pjesa e 3-të fitohet nga vlonjatet 21-18, të cilat shpërthejnë në të 4-ën, duke e fituar atë 23-14 dhe gjithë takimin 75-62.
Pas triumfit, protagonistët kanë rrëfyer edhe emocionet e tyre.