Gjergj Vyshka 02.06.2016 14:35
Bledar Gjeçaj, trajneri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, ka qenë më shumë se i kënaqur që sezoni është mbyllur me titullin kampion. Sipas tij vërtetë ka qenë një sezon i vështirë dhe i lodhshëm, sepse ka qenë një kampionat shumë i bukur i basketbollit të meshkujve, ndërsa gjithçka është luajtur mes 3-4 skuadrave. “E vërteta është se titulli “kampion” i mbyll të gjitha defektet që kemi pasur gjatë këtij sezoni, – ka thënë ai pas triumfit. – Nëse jemi “kampionë”, është se kemi pasur grupin e plotë, që ka pasur një freski fizike më të mirë se sa kundërshtari.”
“Nëse në dy ndeshjet e para kemi pasur probleme këto kanë ardhur nga fakti se ka munguar Xhokoviçi, – ka vijuar trajneri shkodran. – Ardhja e tij ndryshoi dhe skuadrën, sepse Gjonaj u kthye në rolin e tij të zakonshëm dhe ekipi funksionoi shumë mirë. Ardhja e Gjonajt, apo dhe e të huajve, e plotësoi grupin. Gjatë sezonit kemi pasur dhe vështirësi, sepse jemi detyruar ta ndryshojmë modulin. Megjithatë nëse jemi “kampion” kjo është meritë e të gjithë grupit duke nisur që nga kapiteni Bërdica e deri tek më i fundit.”
“Një bravo e madhe dhe e Teutës për atmosferën që krijoi, por e kishte të pamundur të na përballonte”, – ka shtuar Gjeçaj, i cili nuk është çuditur nga dalja e Teutës në finale. “Unë e kam thënë edhe në një kanal lokal të Shkodrës, sepse e dija që Kamza Basket dhe Tirana, kjo e fundit dhe mund të ketë lojtarë më shumë, nuk kishin freskinë fizike për të përballuar “play-off”-in, – ka theksuar ai. – Madje Kamza Basket ishte e tillë dhe në finalen e Superkupës pavarësisht se fitoi. Vetëm Karaj ishte pak. Ne patëm fatin të bënim dhe rotacion forcash.”
“Ardhja e Xhokoviçit e plotësoi skuadrën e sot me meritë jemi kampion, ndërsa kështu kemi mbyllur të gjitha defekte”, – shtoi Gjeçaj, i cili premton që do të ruhet grupi, ndërsa e ka të vështirë të thotë nëse do të jenë në Ligën Ballkanike, apo jo. “Sepse kjo i takon kryesisë ta vendosë, ndërsa duhen të tjerë lojtarë për të përballuar cilësinë e atij aktiviteti. Megjithatë tanimë duhet të festojmë titullin “kampion”, – ka përfunduar trajneri i kuqeblibe, ndërsa Vllaznia është kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për herë të 9-të.