Gjergj Vyshka 02.06.2016 10:25
Policia e Elbasanit, përmes një komunikate për shtyp të shpërndarë dje për mediet vendëse, ka zbardhur masat për ndeshjen e futbollit të femrave, Shqipëri-Rumani, sot në ora 17:00 në “Elbasan Arena”. Ditën e sotme që nga ora 15:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë Stadiumit “Elbasan Arena”. Në Bulevardin “Kamber Sejdini”, gjithnjë sipas njoftimit të policisë së Elbasanit, nuk do të lejohet lëvizje dhe parkimi i automjeteve.
Gjithashtu nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor nga Kryqëzimi i rrugës së tapeteve deri tek “Ish-Konservimi”. Madje policia ka bërë të ditur se hyrja e sportdashësve do të nisë në ora 15:00, ndërsa u është kërkuar që të mos kenë sende të forta, shishe të ndryshme, fishekzjarre, monedha dhe metale të çfarëdolloj, çelësa të ndryshme. “Në të kundërt nuk do të lejohen të hyjnë në stadium”, ka thënë Policia e Elbasanit.
Do të jenë të pranishme 200 forca policie nga Drejtoria Vendore, që do të kenë si përforcim dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë. Madje është thënë që në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë. Po kështu të gjitha lokalet do të mbyllen në ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes. “Drejtoria e Policisë u kërkon qytetareve që të minimizojnë sot lëvizjet përgjatë kohës kur të luhet ndeshja”, – ka përfunduar komunikata e policisë për takimin Shqipëri-Rumani.