AlbanianSport.com 02.06.2016 07:05
ASNN – Kombëtarja do të luajë të premten ndeshjen miqësore me Ukrainën, e cila do i shërbejë trajnerit Xhovani De Biazi si test për të parë gjendjen e futbollistëve. Miqësorja e fundit para “Euro 2016”, do të luhet në Bergamo duke nisur nga ora 20.30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar dje pasdite stërvitjen e fundit në Austri. Sot stafi i kuqezinjve, së bashku me futbollistët, janë nisur drejt Italisë, pasi të premten në mbrëmje do të luhet atje miqësorja me Ukrainën. Trajneri De Biazi pritet të luajë me një sulmues në këtë sfidë, rol që i është besuar Sadikut.
Në mesfushë do jenë 5 lojtarë dhe në mbrojtje 4. Kjo është një skemë eksperimentale, të cilën De Biazi do ta shikojë se si do të funksionojë përballë Ukrainës. “Ndeshja me Ukrainën është një test ku ne do të shikojmë veten”, – ka thënë trajneri italian i Kombëtares kuqezi.
“Pres që skuadra të luajë një ndeshje të mirë, të jetë e kujdesshme në mbrojtje dhe të vijojë rrugën në gjetjen e formës së duhur fizike”, – ka shtuar De Biazi, i cili shpreson që në Bergamo të ketë shumë tifozë shqiptarë të cilët do të përkrahin skuadrën. “Nëse do të ketë shumë shqiptarë padyshim që do të jemi shumë të kënaqur”, – ka thënë ai.
“Kjo tregon që kjo skuadër tërheq vëmendjen e tyre, – ka shtuar italiani. – Do të përpiqemi t’i kënaqim të gjithë pasi ata janë lojtari unë i 12-të.” Miqësorja me Ukrainën është programuar për t’u luajtur të premten në orën 20.30 në stadiumin e Bergamos dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.