Gjergj Vyshka 01.06.2016 18:50
Basketbolli shqiptar ka përfunduar përzgjedhjen e Kombëtares së Nën-20-vjeçarëve, e cila do të drejtohet nga malazezi Darko Vujaçiç. Ashtu sikurse është bërë e ditur dhe më parë, nga data 17, deri më 24 korrik 2016, kjo Kombëtare do të marrë pjesë në Divizionin B të Kampionatit Evropian, ndeshjet e të cilit do të organizohen në Halkidhiqi të Greqisë.
Dhe kuqezinjtë do të jenë përballë Greqisë, Britanisë së Madhe, Holandës, Irlandës dhe Kosovës. Për dy ditë me radhë, gjithnjë sipas programit që kishte ndërtuar Federata Shqiptare e Basketbollit, 34 lojtarë të kësaj kombëtareje janë përzgjedhur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Por, nëse në ditën e parë, malazezi Vujaçiç nuk kishte vendosur, edhe pas ditës së dytë ka bërë të njëjtën gjë.
Madje ka lajmëruar që lojtarët do t’i lajmërojë me telefon, megjithëse më 3 qershor duhet dërguar në Federatën Evropiane të Basketbollit lista zyrtare e kësaj kombëtareje. Sidoqoftë, Vujaçiç tashmë e ka të qartë imazhin e asaj që ka parë në këto dy ditë stërvitjeje, sikurse e di mirë se çfarë lojtarësh i duhen.