Gjergj Vyshka 01.06.2016 13:45
Goga Basket ka fituar ndeshjen e katërt me Flamurtarin me vetëm dy pikë diferencë, ndërsa e premtja do të jetë vendimtare për fatet e sezonit 2015-2016 në basketbollin e femrave. Luhet pikë më pikë në pjesën e parë të takimit të 4-t dhe askush nga skuadra, si ajo e Astrit Grevës, ashtu dhe e Viron Toskës, nuk kërkon të falë.
Gabimet janë të pakta, ndërsa pjesa e parë është në epërsi me dy pikë të Goga Basket, 14-12, e cila lë gjithçka të hapur. Duket sikur ka një tjetër marsh pjesa e dytë, sepse vlonjatet kanë rregulluar diçka në lojën e tyre. Dhe për rrjedhojë Flamurtari e ka fituar këtë 10-minutësh me shifrat 18-21.
Dhe në pushim është në epërsi vetëm me një pikë diferencë, 32-33. Tjetër lojë e Goga Basket në pjesën e tretë, sepse nuk kërkon të dorëzohet lehtë. Fiton 21-14 dhe kryeson 53-47. Që do të thotë se thuajse është e sigurt në suksesin e vet. E megjithatë Flamurtari nuk kërkon të lëshojë.
E ka fituar pjesën e katërt 11-15, por vetëm ka ngushtuar diferencën e humbjes, e cila është 64-62. Barazohet gjithçka në 2-2 sa i përket sfidave të “play-off”-it për titullin “kampion” dhe tashmë lufta finale luhet të premten në ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të Vlorës.
Goga Basket – Flamurtari 64-62 (2-2)
(14-12, 18-21, 21-14, 11-15)