Gjergj Vyshka 01.06.2016 09:35
Ashtu sikurse e do zakoni, edhe këtë sezon Shoqata “Sporti na Bashkon” i është përmbajtur formatit të saj. Që do të thotë se janë dorëzuar tre çmime të treta, dy çmime të dyta, lojtari Fair-Play dhe një çmim të parë. Kanë ardhur njëri pas tjetrit Erion Hoxhallari i Tiranës, Jurgen Bardhi i Partizanit, Gentian Selmani i Laçit, Realdo Fili i Partizanit dhe Artur Magani i Teutës.
Para çdo dorëzimi të çmimit nëpërmjet kronikave nga Pasi i Fundit i gazetarit të Televizionit Shqiptar, Alban Hasani, është bërë dhe prezantimi i fituesve. E më pas janë thirrur dhe figura të sportit për të nderuar këto fitues. Kështu për Erion Hoxhallarin ka ardhur ish-futbollisti i Tiranës, Luigj Bytyçi.
Për Jurgen Bardhin e Partizanit ish-futbollisti i Tiranës dhe i kombëtares, sot shefi i klubit shumësportësh i të kuqve, Shkëlqim Muça, i vetmi që nuk bëri asnjë koment. Për portierin e Laçit, Gentian Selmani, është ftuar të dorëzojë trofeun drejtori i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, Eduard Prodani.
Për Realdo Filin ka ardhur mjeshtri i radiofonisë sportive Ismet Bellova, që sot mbush 82 vjeç. Dhe për Artur Maganin, Artisti i Popullit, një ish-notar, Mirush Kabashi. Dhe mbylljen më pas e ka bërë një tjetër organizator si Gëzim Nushi, i cili ka falënderuar të pranishmit në këtë ceremoni të edicionit të tetë të “Talentit të Sezonit”.
Foto e të gjithë fituesve ka mbyllur dhe këtë edicion të 8-të, e cila pa Lilaj dhe Latifin duket se ka qenë gjysmake…
Talentit i Sezonit 2016
Ja çmimet e edicionit të tetë:
Çmimi i Parë Liridon Latifi (Skënderbeu)
Çmimi i Dytë Artur Magani (Teuta)
Çmimi i Dytë Realdo Fili (Partizani)
Çmimi i Tretë Erjon Hoxhallari (Tirana)
Çmimi i Tretë Jurgen Bardhi (Partizani)
Çmimi i Tretë Gentian Selmani (Laçi)
Lojtari Fair-Play Sabien Lilaj (Skënderbeu)