AlbanianSport.com 31.05.2016 18:45
ASNN – Urata Rama është sportistja e parë që ka marrë ftesë për të përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, qitësja në fjalë ka marrë miratimin e Komisionit trepalësh të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe në Rio do të udhëtojë së bashku me pjesën tjetër të ekipit olimpik, që shpresohet të jetë së paku me 7 sportistë, e në rastin më të mirë me 10.
Ftesën për Ramën e kanë konfirmuar kryetari i Federatës së Shenjëtarisë (Qitjes) Sportive të Kosovës (FSHSK), Ali Pllana, si dhe Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani. Kosova ka dy sportiste të kualifikuara me normë olimpike dhe ato janë xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Po ashtu, Kosova ka 4 ftesa të garantuara nga noti dhe atletika.
Kësisoj, ftesa për Ramën mund të jetë e fundit për Kosovën, ndonëse zyrtarë të KOK-ut shpresojnë që të marrin edhe një të paktën, për xhudisten Distria Krasniqi, pse jo edhe dy të tjera për pingponistët Linor Çitaku e Vlona Maloku, që më herët morën një çmim për “fair-play” nga Federata Ndërkombëtare e këtij sporti.