Gjergj Vyshka 31.05.2016 10:25
Basketbolli shqiptar ka javën e sulmit, sepse mbyll të gjithë edicionin e saj në kampionatin e të rriturve dhe të rriturave. Në Durrës sot e nesër, por ndoshta dhe në Vlorë të premten, apo në Shkodër të shtunën do të shpallet zyrtarisht kampioni i Shqipërisë për të rritur e të rriturave. Deri më tani kryesojnë Flamurtari në basketboll për femra dhe Vllaznia në basketboll për meshkuj 2-1. Që do të thotë se janë me një këmbë pranë titullit “kampion”.
Mirëpo as Goga Basket për femra e Teuta për meshkuj nuk e kanë humbur besimin e tyre për një përmbysje surprizë në fund të sezonit të basketbollit shqiptar. Në të tilla kushte, me Pallate Sporti të mbushura plot si në Shkodër, ashtu dhe në Durrës, e thuajse e tillë edhe në Vlorë, Federata Shqiptare e Basketbollit përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Korab Llazani, u është drejtuar klubeve pritëse, por dhe Drejtorive Rajonale të Policisë të këtyre rretheve për shtim të forcave të rendit në ndeshje.
Sepse, tifozët ultras mënjanë, por dhe tifozët e thjeshtë në anën tjetër, në një pallat të tejmbushur (në Shkodër ka të dhëna se mbi 200 vetë kanë mbetur jashtë “Qazim Dervishit” të shtunën, sepse brenda ka qenë mbi kapacitetin e parashikuar), gjithçka mund të ndodhë. Nuk mund të ketë gjykim të qetë, por dhe lojë të qetë për ekipet udhëtuese.
Ndaj për të shmangur çdo incident të mundshëm në këto finale të fundit, apo dhe për t’i dhënë një tjetër kuptim festës së mbylljes së sezonit, Federata Shqiptare e Basketbollit ka kërkuar forca rendi shtesë si për dy ndeshjet e Durrësit (të martën femrat e të mërkurën meshkujt), por dhe nëse duhet edhe të premten në Vlorë e të shtunën në Shkodër.