AlbanianSport.com 31.05.2016 07:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit ka nisur javën e sulmit, sepse mbyll të gjithë edicionin e saj, si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Në Durrës sot e nesër, por ndoshta dhe në Vlorë të premten, apo në Shkodër të shtunën, do të shpallet zyrtarisht “kampionia” e Shqipërisë për të rritur e të rritura.
Deri më tani, serinë e finaleve e kryesojnë Flamurtari në basketboll për femra dhe Vllaznia në basketboll për meshkuj, me rezultatin identik 2-1. Që do të thotë se vlonjatet, nga njëra anë, dhe shkodranët, nga ana tjetër, janë me njërën dorë tek titulli “kampion”.
Mirëpo as Goga Basket për femra e Teuta për meshkuj nuk e kanë humbur besimin e tyre për një përmbysje surprizë në fund të sezonit të basketbollit shqiptar. Ajo që vlen të theksohet është se, si rrallëherë, për shkak të intensitetit të garës, që ka rikthyer edhe një numër të konsiderueshëm tifozësh nëpër pallatet e sportit, Federata Shqiptare e Basketbollit ka kërkuar një prani më të shtuar të forcave të rendit me qëllim shmangien e problemeve.
Sonte luhet takimi i 4-t i finales së femrave, Goga Basket-Flamurtari, që nis në ora 18:00 në Pallatin e Sportit në Durrës.