Gjergj Vyshka 28.05.2016 13:45
Për herë të parë që pas 3 vjetësh, Shqipëria e volejbollit nuk do të jetë pjesëmarrëse në Kupat e Evropës. Studenti për meshkuj, që pas largimit të Ylli Tomorrit, që tashmë është trajneri i Partizanit, e kishte deklaruar që më parë në Federatën Shqiptare të Volejbollit që nuk do të marrë pjesë në Evropë.
E po kështu ka ndodhur dhe me Barletin Volej, e cila edhe pse është kampione prej tre vjetësh asnjëherë nuk guxon të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Për herë të fundit për femra ka marrë pjesë Minatori më 2012-ën, e cila fillimisht u mund 0-3 nga skuadra gjermane Rote Raben Vilsbiburg.
Më pas, për mosparaqitje përballë qipriotëve të Apollonit të Limasolit, Minatori është dënuar 3 vjet të mos marrë pjesë, si dhe është gjobitur me 7,000 euro. E parë kështu, Shqipëria nuk do të jetë pjesëmarrëse në Kupat e Evropës, shorti i së cilës hidhet më 9 qershor 2016 në Romë.
Ndërkohë që Kosova do të jetë pjesëmarrëse me dy ekipe, Besa e Pejës për meshkuj dhe Drita e Gjilanit për femra. E kjo është diferenca më e madhe që duhet ta vrasë volejbollin shqiptar, sidomos atë të klubeve. Sepse nuk mund të mbetet gjithçka vetëm tek kombëtaret…