Gjergj Vyshka 28.05.2016 10:25
Ministria e Arsimit dhe Sportit, ashtu sikurse kishte lajmëruar dhe më parë, dje në mjediset e Hotel “Tirana International” ka bërë prezantimin e studimit për treguesit antropometrikë tek parauniversitarët e moshës 6-18 vjeç.
Një studim që ka për autor Prof. As. Dr. Rauf Dimraj (zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit), Prof. Dr. Albert Karriqi, Prof. Dr. Dhimitraq Skënderi, Prof. As. Dr. Fatbardha Kovaçi, Msc. Arjola Byzyka, Dr. Aida Bendo dhe Prof. As. Dr. Roland Çerepi.
Në studim, edhe sipas autorëve, kanë ndihmuar Violeta Shqevi, Marjana Lako dhe Ervin Pepi. Në konferencën e djeshme, atje ku kanë marrë pjesë nga të gjitha Zyrat Arsimore dhe Drejtoritë Arsimore Rajonale në vend, krahas autorëve ka qenë i pranishëm edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.
Si në fjalën e hapjes, ashtu dhe në konkluzionet e bëra në përfundim të konferencës, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, ka theksuar se ka një mbipeshë në rritje tek fëmijët që mund të luftohet vetëm me marrjen me sport.
Ndaj ka këmbëngulur në shtimin e orëve të edukimit fizik, kualifikimin e kuadrit mësimdhënës për sportiv, apo dhe hapjen e sportit në kopshte. Studimin e ka prezantuar në dy seanca Albert Karriqi, ndërsa më pas broshura është shpërndarë për të gjithë të pranishmit në këtë konferencë.