AlbanianSport.com 28.05.2016 07:55
ASNN – BITT 2016 “Tribut për Matin” ka nisur mbrëmë në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” të Burrelit me këngë, valle, fjalime dhe prezantimin e ekipeve dhe lojtarëve pjesëmarrës. Koordinatorja e BITT-it, Esmeralda Hoxha, duke prezantuar të ftuarit dhe kontribuesit e kësaj veprimtarie, tha se Bashkia Mat, Federata Shqiptare e Çiklizmit dhe ajo e Pingpongut, “Sport Ekspres”, mediat lokale dhe disa biznesmenë kanë treguar bujarinë e tyre për të mbështetur zhvillimin e të këtij turneu.
Qendra Kulturore e Fëmijëve Burrel i dha gjallëri veprimtarisë. Instrumentistët e vegjël dhe valltarët zbukuruan hijshëm mjedisin ku zhvillohet BITT-i. Duke marrë fjalën kryetari i Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani, tha se është privilegj për matjanët që në qytetin e Burrelit zhvillohet një veprimtari me përmasa të tilla. Ai falënderoi drejtoreshën e BITT-it, Elda Gjoka, si dhe mbështetësit e tjerë. Ai u uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve dhe premtoi se gjithçka do të zhvillohet në normalitet të plotë.
Përshëndetën pastaj me radhë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi, Kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar Bledar Sugja, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Pingpongut, drejtues të mediave lokale etj. Që mbrëmë, lojtarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nisën ndeshjet.