AlbanianSport.com 27.05.2016 11:35
ASNN – Organizatorët e BITT 2016, “Tribut për Matin”, kanë zbarkuar pasditen e djeshme në qytetin e Burrelit për t’i paraprirë kësaj veprimtarie të bukur. Janë inspektuar me kujdes mjediset e Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” dhe mjediset e konviktit të shkollës “Pjetër Budi”.
Sipas koordinatores së BITT-it, Esmeralda Hoxha, gjithçka është në normalitet të plotë për të pritur sportistët nga 6 vende si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia. Festa e BITT-it nis me garën çiklistike dhe do të vijojë për tre ditë me radhë.
Organizatorët janë takuar pasditen e djeshme me bashkëpunëtorët e tyre në Bashkinë e Matit, me anëtarët e shoqatës “Zëri +16”, zyrtarët e Qendrës Kulturore, si dhe zyrtarë lokal për të koordinuar gjithçka. Sipas Hoxhës përgatitjet kanë përfunduar dhe çdo gjë është brenda parashikimeve.
Sot në mesditë qytetarë të Burrelit, zyrtarë të Bashkisë Mat, drejtues të sportit në këtë trevë, sportistë që do të garojnë në pingpong do të presin çiklistët që do të garojnë nga Tirana në Burrel. Sakaq sipas kalendarit të miratuar kohë më parë pasdite do të nisin ndeshjet, si dhe do të organizohet një ceremoni zyrtare.