Gjergj Vyshka 27.05.2016 08:50
Ministria e Arsimit dhe Sportit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë për të gjithë mediat, ka bërë të ditur se sot në mjediset e Hotel “Tirana International” do të zhvillojë konferencën me titull “Studimi i parë kombëtar i treguesve dhe indekseve antropometrikë të moshës 6-18 vjeç në Shqipëri”. Çfarë janë treguesit antropometrikë, të paktën edhe për një njoftim për lexuesit? Të gjitha këto tregues janë zhvilluar më së shumti nga mësuesit e edukimit fizik në fillim të vitit shkollor dhe në përfundim të saj. Që do të thotë se për çdo nxënës bëhej matja e gjatësisë, peshës, gjatësia e kraharorit me marrje frymë thellë dhe nxjerrjen e saj etj.
E më pas, mbi bazën e këtyre treguesve, ndërtohej dhe ora e edukimit fizik, kuptohet sipas programit të vitit shkollor. Në këto kushte, Ministria e Arsimit dhe Sportit inicioi një testim mbarëshkollor të BMI-së, që përfaqëson një studim të vlefshëm dhe që bëhet për herë të parë në Shqipëri. Ky studim nxjerr në pah arritjen e një gjendje të shkëlqyer të përbërjes trupore për gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar. Studimi ndërgjegjëson fëmijët tanë për të qenë më kureshtarë, më të motivuar, më të angazhuar, më krijues, e të ndjejnë praninë dhe bukurinë trupore e një mirëqenie cilësore gjatë jetës së tyre.
Studimi themelon historikun e dinamikës së treguesve të përbërjes trupore për nxënësit e Shqipërisë në moshën 6-18 vjeç. Në zbatim të Strategjisë së Zhvillimit Arsimit Parauniversitar, Ministria e Arsimit dhe Sportit synon përmirësimin e mirëqenies shëndetësore të nxënësve dhe fokusohet jo në organizimin e aspektit kurues, por në atë parandalues e promovues të shëndetit të çdo individi. Gjatë kësaj veprimtarie do të prezantohet dhe botimi i ”Studimit të treguesve dhe indekseve antropometrikë 6-18 vjeç”, i cili më pas do të shpërndahet dhe për pjesëmarrësit në konferencë. Kjo më së shumti do të jetë dhe tematika e konferencës, që nis në ora 09:00 dhe përfundon në ora 12:00.