AlbanianSport.com 27.05.2016 07:55
ASNN – Eurosport kthehet të flasë sërish për Kombëtaren e Shqipërisë, duke e cilësuar si “Leister Sitin” e futbollit ndërkombëtar. Nëse Leister Siti ishte surpriza e kampionatit anglez, kombëtarja e Shqipërisë ishte përralla e futbollit ndërkombëtar. Të paktën, kështu e cilëson “Eurosport” kualifikimin historik të kombëtares kuqezi në finalet e “Euro 2016”.
Pas reportazhit të transmetuar pak javë më parë, rrjeti prestigjioz kthehet të flasë sërish për përfaqësuesen shqiptare. Me anë të një video të postuar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ai përshkruan historinë e skuadrës së Xhovani De Biazit në eliminatoret e fundit.
Duke nisur nga fitorja e madhe në Portugali dhe te ndeshja e ndërprerë në Beograd, “Eurosport” nënvizon faktin se Shqipëria luan për herë të parë në një turne ndërkombëtar. Video mbyllet me një urim për skuadrën kuqezi në finalet e Euro 2016 që do të luhen në Francë.