AlbanianSport.com 26.05.2016 12:55
ASNN – Mijëra qytetarë kukësianë festuan mbrëmjen e të mërkurës fitimin e Kupës së Shqipërisë, e para kjo në historinë e klubit verilindor. Një skenë ishte vendosur në sheshin kryesor të Kukësit, ndërkohë që këngëtarë të njohur argëtuan qytetarët dhe tifozët e kësaj skuadre, të cilët sfiduan dhe shiun. Në fund, në skenë u ngjitën lojtarët, stafi dhe drejtuesit e klubit kukësian, të cilët premtuan se ky nuk do të jetë trofeu i fundit që vjen në këtë qytet.
Skuadra e drejtuar nga Klodian Duro fitoi kupën e Shqipërisë pasi mposhti pak ditë më parë me 11-metërsha Laçin. Ky trofe i jep mundësinë skuadrës verilindore të përfaqësojë Shqipërinë në turet eliminatore të Ligës së Evropës. Qyteti i Kukësit feston fitoren e Kupës së Shqipërisë, ndërsa Presidenti Gjici premton: “Vazhdoj investimet për titullin”. Natyrisht, trofeu i parë është ai më i veçanti dhe e tillë ishte Kupa e Shqipërisë për Kukësin, në suksesin pa precedent.
Qyteti verilindor shqiptar festoi gjatë bashkë me skuadrën që hapi një faqe të re të historisë. Pas klubeve më të shquar si Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia, Skënderbeu apo Flamurtari, është edhe Kukësi në tribunën e fituesve të futbollit të vendit tonë. Spektakli, i menduar më shumë se thjesht sportiv, pati këngë apo humor, për të kulmuar me ngritjen për së dyti herë në ajër të Kupës. Ashtu si të dielën në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, u dëgjua sërish kënga-himn e grupit “Queens”, “Ne jemi kampionët”.
Rrahmani, Musolli, Malota, Shameti dhe lojtarët e tjerë brohoritën përpara më shumë tifozëve kukësianë. Suksesi ishte meritë e madhe e trajnerit Klodian Duro, që e nisi me triumf karrierën e re. E veçantë, merita e presidentit Gjici, ndër më ambiciozët në futbollin shqiptar. Ai e pati një premtim përpara bashkëqytetarëve të tij, duke theksuar se tanimë synimi është kurora e kampiones së Shqipërisë.