AlbanianSport.com 26.05.2016 09:35
ASNN – Skënderbeu fiton një tjetër sfidë me Partizanin, teksa e mund në finalen për titull “kampion” tek grupmosha e 19-vjeçarëve. Në fakt, ishte një titull për të larguar sadopak shqetësimin. Skënderbeu fitoi trofeun e dytë sezonal, veçse jo me skuadrën e të rriturve.
Ishin djemtë e grupmoshës deri në 19 vjeç që u shpallën gjithashtu “kampionë” të Shqipërisë, madje duke sfiduar të njëjtin rival. Partizani, kampioni i sezonit të kaluar, u mund në “Elbasan Arena” pas një ndeshjeje të fortë, fatin e të cilës e vendosën goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Kryeqytetasit e trajnerit Genci Tomori, që zbritën në fushë me autoritetin e kampionëve, bënë më shumë, por nuk ishte dita e tyre. Madje, mezi shmangën humbjen brenda kohës së rregullt kur Vllacaj barazoi golin e Zekajt kur duheshin edhe 20 minuta deri në përfundim.
Zotërimi i topit dhe rastet më të shumta nuk sollën suksesin e dytë radhazi. Ishte radha e korçarëve me Jani Kaçin në stol dhe portierin Konstandino Dramolli. Heroi i finales priti dy 11-metërsha, dhe Skënderbeu fitoi 3-0 pas goditjeve nga pika e bardhë. Pas ndeshjes, kapiteni Menko dhe trajneri Kaçi kanë rrëfyer stresin dhe gëzimin e fitores.