Gjergj Vyshka 26.05.2016 07:05
Lojtarja për këtë afat kohor është ndaluar të marrë pjesë në veprimtaritë zyrtare dhe miqësore të përfaqësueses, si dhe është gjobitur me 100,000 lekë të rinj. Enkelejda Braho, kapitenia e Barletit Volej, kampione në fuqi e volejbollit të femrave, nuk është më pjesë e kombëtares, e cila ka nisur përgatitjet e saj për të marrë pjesë në Ligën e Evropës. Sportistja në fjalë, sipas dokumentit të ardhur nga Federata Shqiptare e Volejbollit dje në mesditë, është larguar në mënyrë të pajustifikuar nga ekipi përfaqësues.
Për rrjedhojë relacioni i parë është bërë nga trajnerët e ekipit kombëtar, Altin Martiro dhe Rolanda Tarja, e më pas dhe nga Sekretariati i Federatës Shqiptare të Volejbollit. Mbi bazën e raportimit të këtyre të fundit, por dhe relacionit të trajnerëve, më 24 maj 2016 është mbledhur Komisioni i Disiplinës i përbërë nga Lorenc Golloshi, Sokol Halili dhe Genti Hoxha, të cilët kanë analizuar situatën e krijuar pas largimit pa asnjë arsye justifikuese zyrtare nga faza përgatitore e ekipit kombëtar e lojtares Enkelejda Braho.
Dhe mbi bazën e Rregullores së Brendshme të Federatës Shqiptare të Volejbollit, neni 13.8, por Kodit të Etikës dhe Rregullores së Disiplinës, neni 2.1, pika C, Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit e ka dënuar Enkelejda Brahon me dy vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet zyrtare dhe miqësore të ekipit kombëtar, si dhe e ka gjobitur me 100.000 lekë të rinj, të cilat nëse nuk do të likuidohen në llogarinë e Federatës Shqiptare të Volejbollit, atëherë lojtarja nuk do të lejohet të aktivizohet në veprimtaritë kombëtare për sezonin 2016-2017.
Në fakt tek Barleti Volej ishin përgatitur për një dënim të tillë, edhe sepse e dinin që një braktisje e ekipit kombëtar është e parashikuar në rregullore. Një veprim i rëndë, që në fakt mund dhe të ishte shmangur me mosshkuarje që në ditën e parë të grumbullimit, apo në fazën e seleksionimit. Megjithatë tashmë, edhe duke mos pasur asnjë reagim për momentin, Braho e ka pranuar këtë masë ndëshkuese nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndërsa kështu do të përqendrohet tashmë në përgatitjet për sezonin e ri me Barletin Volej.