AlbanianSport.com 25.05.2016 21:15
ASNN – Pas femrave, edhe Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Meshkuj është rikthyer në barazpeshë sa i përket sfidave të finales së “play-off”-it për titullin “kampion”, pasi Teuta e ka fituar ndeshjen e dytë ndaj Vllaznisë, duke e barazuar në 1-1 numrin e ndeshjeve.
Pjesa e parë është fituar nga miqtë me shifrat 19-16, ndërsa e dyta ka qenë më e luftuar dhe është mbyllur në barazpeshë të plotë, 18-18. Kjo ka bërë që në pushimin e madh pas dy pjesëve të para, shkodranët të mbajnë kryesimin prej 3 pikësh, me rezultatin 37-34. Megjithatë, ajo që do të vendosë fatin e sfidës është pjesa e tretë.
Skuadra durrsake, e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç dhe e frymëzuar nga Bruno Daliu, e fiton bindshëm 10-minutëshin e tretë, me shifrat 30-18, duke përmbysur gjithçka e duke marrë kryesimin e lojës 64-55. Teuta e fiton edhe pjesën e 4-t dhe të fundit, 25-21 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 89-76.
Kështu, beteja finale barazohet në 1-1 dhe premton të shkojë në 5 ndeshje, ndonëse fillimisht ishte menduar se Vllaznia do ta mbyllte në 3. Takimi i radhës, ai i treti, do të luhet pas 3 ditësh, në Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër, dhe pritet të jetë vendimtar për rrjedhën e finales së “play-off”-it për titullin “kampion”.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Faza e “Play-off”-it
për titullin “kampion”
Finalja:
21 maj 2016:
Vllaznia – Teuta 64-60 (1-0)
(19-6, 13-20, 15-16, 17-18)
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
25 maj 2016:
Teuta – Vllaznia 89-76 (1-1)
(16-19, 18-18, 30-18, 25-21)
Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, Durrës
28 maj 2016:
Vllaznia – Teuta ora 19:00
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
1 qershor 2016:
(nëse është e nevojshme)
Teuta – Vllaznia ora 19:00
Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, Durrës
4 qershor 2016:
(nëse është e nevojshme)
Vllaznia – Teuta ora 19:00
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër