Gjergj Vyshka 25.05.2016 18:45
Federata Shqiptare e Basketbollit ndodhet tashmë në aksionin e përgatitjes së kombëtareve. Sepse java tjetër, të paktën edhe sipas njoftimit zyrtar të institucionit më të lartë të koshit shqiptar, do të jetë përzgjedhja për kombëtaren e Nën-20-vjeçarëve, e cila do të drejtohet nga malazezi Darko Vujaçiç.
Kjo kombëtare do të përbëhet nga basketbollistë të grupmoshës 1996-1997-1998, ndërsa seleksionim i tyre do të zhvillohet më 30 dhe 31 maj 2016, në mjediset e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Mbetet vetëm për t’u përcaktuar orari i stërvitjeve, ndërsa klubeve u është kërkuar që të vënë në dispozicion listë lojtarësh që janë kandidatë për këtë përfaqësuese.
Kombëtarja e Nën-20-vjeçarëve merr pjesë në Divizionin B, ndeshjet e të cilave do të zhvillohen në Halkidhiqi të Greqisë, nga data 15, deri më 24 korrik 2016, ndërsa kuqezinjtë do të jenë përballë Britanisë së Madhe, Greqisë, Holandës, Kosovës dhe Irlandës.
Në marrëveshjen me Kosovën, përtej asaj çka mund të bëjnë ndeshje përgatitore, janë përcaktuar për këtë kombëtare miqësore, më 15 dhe 30 qershor 2016. E këto përzgjedhje pritet të jenë edhe për Nën-16-vjeçaret, vajza, dhe Nën-18-vjeçarët, vajza e djem.