AlbanianSport.com 25.05.2016 16:15
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit po vijon stërvitjet në Austri në prag të finaleve të evropianit Francë 2016. Të mërkurën në konferencën për shtyp, pyetjeve të gazetarëve iu janë përgjigjur Mesfushori Ledian Memushaj dhe portieri Etrit Berisha. Mesfushori i kuqezinjve mendon se ky ekip që është krijuar i ka të gjitha mundësitë për të kaluar fazën e grupeve.
“Zgjedhjet i bën trajneri, ne thjesht duhet të tregojmë në këto stërvitjet që zhvillojmë, formën tonë, – ka thënë ai. – Unë do të kërkoj nga vetja, të jap më të mirën dhe të jem në formë.” Mesfushori 29-vjeçar i kuqezinjve, që aktualisht luan me Peskarën në Itali në Serinë B, thekson faktin se Kombëtarja i ka të gjitha mundësitë për të kaluar grupin eliminator.
“Unë kam 20 vjet në Itali duke shkuar atje si emigrant, tani jam finalist i Evropianit 2016, – ka rrëfyer ai. – Kjo është kënaqësia më e madhe për mua dhe për të gjithë popullin shqiptar. Arritja në fazën finale e ekipit tonë kombëtar, është një kulm për karrierën time dhe një krenari e madhe për të gjithë popullin shqiptar.” Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në Austri në prag të fazës finale të Evropianit “Francë 2016”.