AlbanianSport.com 25.05.2016 15:25
ASNN – Vajzat e Astrit Grevës i kanë kthyer reston vlonjateve të Viron Toskës, edhe pse këto të fundit kryesonin në përfundim të pjesës së parë 29-30. Por, në fund një fitore me 11 pikë diferencë për Goga Basket, 68-57. Që do të thotë barazim dhe duket se po shkohet drejt një dueli me pesë finale që do të mund të zgjidhet vetëm në ditët e para të qershorit.
Pas ndeshjes, trajneri i durrsakeve, Astrit Greva vlerësoi fitoren, ndërsa homologu i tij vlonjat, Toska, kishte vërejtje për gjykim. “Ky takim ishte mjaft ndryshe për ne, pasi vajzat zbatuan me disiplinë ato që ne u kishim kërkuar, ndryshe nga ç’kishte ndodhur në Vlorë, ku edhe u mundëm në atë mënyrë”, – tha veterani Greva, duke folur pas fitores.
“Në fakt, m’u krijua përshtypja se Goga Basket kishte marrë një trajner mundjeje këto ditë, sepse kjo ndeshje vetëm me basketbollin nuk kishte lidhje, – ka ironizuar Toska. – Është për të ardhur keq që gjyqtarët e takimit ishin të verbër dhe nuk arritën ta konstatonin një gjë të tillë dhe të mos i shikonin faullat flagrante të skuadrës vendase në këtë ndeshje.”
“Përtej kësaj, edhe ne kishim të metat tona, që do t’i ndreqim në vijim dhe besoj që ndeshja e tretë do të jetë një tjetër histori”, – ka përfunduar trajneri i kampioneve në fuqi, Viron Toska. Takimi i 3-të i finales së “play-off”-it për titullin “kampion” të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra do të luhet pas 3 ditësh në Pallatin e Sportit “Flamurtari” në Vlorë.