Gjergj Vyshka 25.05.2016 12:05
Federata Shqiptare e Basketbollit ka lajmëruar se, duke nisur që sot e deri të enjten, nga ora 16:00 deri në ora 18:00, në mjediset e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” do të zhvillohet përzgjedhja e Kombëtares së Nën-16-vjeçarëve. Kjo kombëtare do të marrë pjesë në Divizionin C të Kampionatit Evropian dhe ndeshjet zhvillohen në Nikozia të Qipros nga data 17, deri më 24 korrik 2016.
Dhe Shqipëria, që është në Grupin B, ku do të ketë kundërshtar Gjibraltarin, Moldavinë, Armeninë dhe Andorrën, do të drejtohet nga Afrim Bilali. Ndaj Federata Shqiptare e Basketbollit u ka kërkuar të gjitha skuadrave që të vënë në dispozicion një listë lojtarësh kandidatë për këtë ekip, të cilët duhet të jenë të datëlindjes 2001-2002, ndërsa do të jenë pjesë e përzgjedhjes së parë në këto tre ditë.
Ajo që duhet theksuar është se kjo kombëtare, të paktën edhe sipas marrëveshjes që është firmosur më 12 prill 2016 me Federatën e Kosovës, më 8, 9 dhe 10 korrik 2016 do të ketë miqësore me Nën-16-vjeçarët e Kosovës. Që do të jetë dhe përzgjedhja përfundimtare në prag të pjesëmarrjes në Divizionin C në Nikozia të Qipros. E kësisoj, kombëtarja e Nën-16-vjeçarëve nis përgatitjet e saj.