Ditët e para të kësaj jave do të jenë përcaktuese për emrat që qëndrojnë në radhët e kuqebluve, priten largime dhe afrime të reja gjatë merkatos së verës, e cila ende nuk është hapur zyrtarisht. Në seancën e sotme ka qenë i pranishëm i gjithë kontingjenti kuqeblu duke nisur nga stafi teknik dhe deri tek futbollisti i fundit që është nën kontratë. Edhe pse zyrtarisht nuk është bërë akoma asgjë e ditur për opinionin sportive pikëpyetjet e vazhdimësisë në kampin kuqeblu janë të shumta.
Në fakt ato fillojnë që nga stafi teknik, ku në përfundim të kampionatit, trajneri Armando Cungu lëshoi një mesazh paralajmërues që nëse nuk do të ketë një ndryshim në mënyrën e menaxhimit të Vllaznisë, për të pasur në dispozicion një skuadër më cilësore, ai ka të drejtën e tij për të menduar edhe një lëvizje kur edhe ofertat dhe mundësitë për një gjë të tillë nuk mungojnë.
Megjithatë, në këtë aspekt, kur bëhet fjalë për Cungun, gjithnjë nga sa flitet brenda institucionit vendor, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, e cila është edhe presidentja e Vllaznisë, as që e mendon ta lërë të lirë trajnerin Cungu. Pasi në marrëveshjen e nënshkruar në periudhën e ndërrimit të viteve është folur për një plan afatgjatë të tij në krye të skuadrës kuqeblu. Sidoqoftë për ta konkretizuar një gjë të tillë duhet pritur një takim i paralajmëruar mes palëve që me të gjitha gjasat mund të ndodhë brenda kësaj jave.