AlbanianSport.com 23.05.2016 17:55
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar dhe më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi, të shtunën pingpongu shqiptar ka qenë pjesëmarrës në turneun e 17-të Memorial “Ahmet Hoxha”.
Një veprimtari që është zhvilluar në Ferizaj të Kosovës dhe ku kanë marrë pjesë 100 sportistë, të cilët përfaqësonin pingongun e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës.
Sipas informacionit që ka dhënë Federata Shqiptare e Pingpongut në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, nga Shqipëria morën pjesë 15 sportistë. Në finalen e meshkujve janë përballur Ilir Shabanaj i Tomorit me Linor Çitakun e Prishtinës.
E ndeshja është fituar nga Çitaku, 3-1, kurse Shabanaj ka zënë vendin e dytë. Për femra në vendin e tretë është renditur pingpongistja e Tomorit, Daniela Hazizaj. Si Shabanaj, ashtu dhe Hazizaj, stërviten nga trajneri i pasionuar Xhorxhi Skufi.