Gjergj Vyshka 23.05.2016 12:05
Që Kupa nuk do të jepej kjo është paralajmëruar që në momentin që Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, ka lajmëruar që në kushte të tilla nuk mund të bëhet ceremonia. Konsultimet kanë qenë të vazhdueshme mes gjyqtarëve Kasemi-Tafilica dhe vëzhguesit Artan Terihati. E më pas është arritur në konkluzionin se kjo finale është e pezulluar dhe e papërfunduar.
Kasëmi, së bashku me kolegun e tij Tafilica dhe vëzhguesin Terihati kanë thirrur dy trajnerët për t’i komunikuar vendimin. “Në kushtet kur unë jam i pasigurt për vazhdimin e ndeshjes, në kushtet kur unë nuk jam i qartë se kë duhet të ndëshkojë për sherrin e ndodhur qoftë nga lojtarët që ishin në fushë, por dhe në stolin e rezervave, atëherë kjo ndeshje nuk do të vazhdojë më”, – u ka thënë Kasëmi trajnerëve të të dy skuadrave.
“Dhe ne do të bëjmë relacionin tonë për Komisionin e Disiplinës”, – ka shtuar ai. Gjë që ka hasur kundërshtim tek Superiori dhe është pranuar në një farë mënyre nga Tirana, sepse Superiori është skuadra e dhunuar, sipas drejtuesve të kësaj shoqate, dhe rregullorja nuk është kështu. Dhe më pas në relacionin e bërë lojtarët e të dy palëve për përfshirjen në sherr, kush më pak e kush më shumë, janë ndëshkuar me gabim përjashtim.
Identik me atë që ka ndodhur në ndeshjen e Nën-16-vjeçarëve, Olimpiku-Apolonia, gjatë sezonit të rregull të kampionatit të kësaj grupmoshe. Kësisoj para të rinjtë kanë mbetur pa e shpallur kampionin për shkak të sherrit masiv që ka përfshirë të dy palët dhe do të jetë Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit që do të vendosë tashmë.