Gjergj Vyshka 23.05.2016 07:05
Sherr masiv në finalen e para të rinjve në basketboll dhe një finale në të cilën titulli “kampion” nuk është dorëzuar. Kështu ka përfunduar dueli i Nën-16-vjeçarëve për djem, apo thënë ndryshe, paratërinjve, mes Superiorit dhe Tiranës, e cila deri 0 sekonda e 8 të qindtat nga fundi ishte duke shkuar jashtëzakonisht mirë e Superiori ishte një hap larg rikonfirmimit të titullit “kampion”.
Por… nga një debat mes Sykut e Toplicës është kaluar në një zënkë mes dy palëve, atje ku janë përfshirë dhe prindërit e tifozët. Në pamundësi për të identifikuar protagonistët, gjyqtarët e mbyllin ndeshjen dhe tashmë do të jetë Komisioni i Disiplinës që vendosë. Në fakt, Salla Sportive e Bathores është ndër ato mjedise sportive në të cilat nuk ka ndodhur asnjëherë ngjarje të tilla.
Por për shkak të barrierave të ulëta gjithkush mund të hyjë e të depërtojë në fushë e të godasë siç dhe ka ndodhur dje në finalen e para të rinjve. Jo vetëm kaq, por dje është luajtur pa forca rendi, të cilat kanë ardhur vetëm pasi janë lajmëruar se ka nisur një sherr masiv. Madje pretendimi është se patrulla që ka kaluar rastësisht pranë mjedisit ku po luhej finalja nuk ishte për të mbajtur rregullin në sallën sportive.
Ndërsa normalisht duhet të ishin lajmëruar me ditë për këtë gjë. Mirëpo të paktën nga palët, apo dhe nga organizatorët është thënë që policia është lajmëruar shkresërisht. Veçse dje, edhe për shkak të ngjarjes, të gjithë janë ndjerë të pasigurt.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Paratërinj
Faza e “Play-off”-it
për titullin “kampion”
Gjysmëfinalet
Të shtunën:
(21 maj 2016)
Superiori – Kamza Basket 57-47
(15-9, 14-10, 12-15, 16-13)
Marsi Basket – Tirana 35-47
(7-17, 7-13, 5-7, 16-10)
Finalja
Të dielën:
(22 maj 2016)
Superiori – Tirana 53-49
(Ndeshja është ndërprerë)
(14-10, 12-15, 10-8, 17-16)