Shkodranët për pak sa nuk e kanë pësuar prej lëshimit, por në fund janë mbledhur dhe ia kanë dalë të jenë fitues në duelin e parë me durrsakët. Për rrjedhojë, për trajnerin e Teutës, Nikola Milatoviç, fitorja ishte sa për meritë të Vllaznisë, aq edhe për gabimet e skuadrës durrsake.
“Urime Vllaznisë për fitoren, sepse ishte ekipi më i mirë në fushë, – ka deklaruar ai. – Ekipi ynë nuk luajti keq, por atmosfera e finales ka pak emocionet e veta. Këtë e pashë tek lojtarët e mi, që në pjesën e parë të lojës mbase u emocionuan pak nga kjo atmosferë.”
“Atmosfera festive që pashë në pallatin e sportit të Shkodrës ishte shumë e mirë dhe kjo është një fitore për gjithë basketbollin me këtë atmosferë, – ka vijuar trajneri malazez. -Në lidhje me ndeshjen e kthimit mund të them se është një seri e gjatë. Sot fitoi Shkodra në fushën e lojës por mund të them se ishte një fitore më e madhe për basketbollin shqiptar në tërësi.”