Duke folur pas ndeshjes së parë, të fituar ndaj Teutës, trajner i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, tha: “Finalet të tilla janë. Nëse e mbani mend të gjitha finalet e luajtura në Shkodër kështu i kemi pas me këtë ecuri loje. Ndeshjet e para janë problematike sepse ndoshta ekipi është nën presionin e publikut.”
“Por mund të themi se ekipi e filloi lojën perfekt duke kryesuar në 19-6, por lëshuan në dy-tre sulme, një dypikësh dhe dy 3-pikësha të tjerë radhazi e shkurtuan menjëherë diferencën e krijuar me kundërshtarin, – ka vijuar ai. – Sepse duhet thënë se diferenca e krijuar prej nesh ishte normale për ta kontrolluar shumë mirë lojën dhe për këtë kam vërejtje.”
“Sulmi nuk është se ka ecur shumë mirë, po kështu edhe gjuajtjet e lira në fund, – ka theksuar trajneri kuqeblu. – Por, falë ndoshta freskisë të mbrojtjes, sepse në momentet e fundit u luftua shumë dhe e përballuam mjaft mirë kundërshtarin ia dolëm që në fund ta fitojmë me meritë krejt ndeshjen. Ndeshja e dytë besoj se ka për të qenë ndryshe, mund të jetë pjesë e skuadrës edhe Nikolla Xhokoviç, që duhet parë se kur do të vijë nga prova në Kinë. Në Durrës shkojmë për të fituar”.