Finalja e parë për titullin “kampion” në basketboll për meshkuj mes Vllaznisë dhe Teutës është zhvilluar nën shoqërimin e një atmosfere me të vërtetë tejet festive dhe sportive. Një finale e parë kjo e filluar në mënyrën më të mirë të mundur nga ana e ekipit vendës, që arrin të krijojë distancën e duhur, ndërsa pjesën e parë e ka mbyllur në epërsi 19-6.
Por më pas Vllaznia bie në gabime të shumta dhe të njëpasnjëshme duke i dhënë mundësi miqve të rikuperojnë nga pjesa në pjesë dhe ndeshja ka hyrë në ekuilibër të plotë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se nëse vëzhgojmë me kujdes rezultatet e tre pjesëve të tjera janë të gjitha në fitim të durrsakëve.
Por janë pikërisht pikët e akumuluara të diferencës në pjesën e parë që arrijnë ta shpallin Vllazninë fituese në përfundim të krejt ndeshjes. Emocionet dhe tensioni në radhët e skuadrës kuqeblu, por edhe në shkallët e publikut mbërrin kulmin kur në pesë minutat e fundit të krejt ndeshjes rezultati barazohet disa herë.
Por ndërhyrja vendimtare e trajnerit Gjeçaj në çastet vendimtare bën që Vllaznia ta mbyllë fitore këtë ndeshje duke hedhur një hap shumë pozitiv drejt fitores së titullit “kampion”.
Vllaznia – Teuta 64-60 (1-0)
(19-6, 13-20, 15-16, 17-18)
Vllaznia: Berdica (10), Alen (26), Arra (2), Faslija (8), Gjonaj (10) / Bekteshi (2), Ndoja (6). Trajner: B. Gjeçaj
Teuta: Aliaj (13), Gorea (10), Ndreko (11), Daliu (10), Strazimiri / Llazani, Pasha, Thano (14), Isufi, Veselagu (2). Trajner: N. Milatoviç
Gjyqtarë: G. Cici, G. Hoxha (Tiranë), M. Kasemi (Vlorë)