Gjergj Vyshka 21.05.2016 20:25
Drejtoria e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë në “e-mail” ka lajmëruar se nis edicioni i parë i “Iliria Raid”. Një veprimtari sportive, e cila ka për qëllim promovimin e turizmit masiv, ndërsa sipas kësaj drejtorie, përshkon zemrën e Ilirisë historike.
Madje kalon në rrugë të pashkelura dhe do të kalojë në Greqi, Shqipëri, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoni. Një veprimtari që organizohet nga Federata Shqiptare e Motoçiklizmit, “Rally Albania” dhe “Enduro European Organisation. Do të jenë gati 130 motorë nga Evropa perëndimore në nisjen e kësaj veprimtarie.
Ndërsa vetëm në Shqipëri do të jetë për katër ditë. Gjithçka nis nga Igumenica në Greqinë Veriore për të vazhduar në Vlorë, Tiranë e Malësinë e Madhe. Më pas në Malin e Zi, në veriun e Kosovës, në krahinën e Dibrës së Madhe në Maqedoni dhe në fund në malet e Pindit në Greqi.
Itinerari i etapës së parë, që është duke u promovuar dhe nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, si një mundësi lidhjeje të zonave bregdetare me ato malore, nis nga Igumenica në Greqi, kalon në aksin Borsh-Kuç-Kurvelesh-Bënçë të Tepelenës e përfundon në Vlorë.