AlbanianSport.com 21.05.2016 13:45
ASNN – Koordinatorja e BITT 2016, “Tribut për Matin”, Esmeralda Hoxha shprehet për “Sport Ekspres” se kjo veprimtari e sivjetme do të ketë supriza. E veçanta e parë është se persona me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë e gjyqtarisë së turneut. “Është vendosur nga organizatorët që për gjykimin e BITT 2016, “Tribut për Matin”, të kemi një bashkëpunim mes “Albanian Disabled People”, Federatës Shqiptare të Pinpongut, rast ky që është risi në Shqipëri”, – tha ajo.
“Ideja është që një pjesë e ndeshjeve të gjykohen nga personat me aftësi të kufizuar, të cilët paraprakisht do të trajnohen”, – shton Hoxha. Sakaq ajo jep lajmin e mirë se BITT 2016 “Tribut per Matin” është pjesë e “Move Week”, që sivjet organizohet në të gjithë botën, nga data 23, deri më 29 maj 2016. Një lajm tjetër surprizë për organizatorët e BITT 2016 është se gazeta “Sport Ekspres” bëhet gazeta zyrtare e turneut dhe për këtë koordinatorja shpreh falënderimet më të mira për drejtuesit dhe stafin e kësaj media serioze.
“Është një emër i madh dhe një motivim për të gjithë ne”, – deklaron Esmeralda Hoxha. Ajo thekson se Bashkia e Matit po shënjon suksesin e saj në bashkëorganizimin e këtij Turneu Ndërkombëtarë dhe me këtë rast Hoxha falënderon përkushtimin jo vetëm të drejtuesve të Bashkisë, por edhe të Grupit “Zëri 16+”, instancat drejtuese të konviktit Burrel, të cilët po vënë në dispozicion dhomat për pjesëmarrësit. Mbi të gjitha Engjëllushe Gjokën, që së bashku me zonjat e qytetit Burrelit po bëjnë të mundur krijimin e kushteve normale për pjesëmarrësit.
Po kështu Shaban Lleshi, përgjegjës i sporteve në Bashki, Denisa Vata drejtoreshën e Qendrës Kulturore Mat dhe mjaft të tjerë, që po japin kontributet e tyre për një mikpritje sa më të denjë dhe bujare për BITT 2016.