Stadiumi i ri, përurimi i të cilit pritet të bëhet shumë shpejt, do të jetë gati për nisjen e sezonit futbollistik 2016-2017, start në të cilin bën pjesë edhe Vllaznia e Shkodrës. Nisje në të cilin akoma nuk dihet se me çfarë paraqitje do të përfaqësohet, sepse për hir të së vërtetës duhet pranuar se të gjithë në Shkodër, por edhe jashtë saj, vazhdimisht e kanë një merak.
E meraku është nëse do të kenë mundësi të shikojnë një Vllazni tjetër në ndryshim nga ajo që lanë pas, apo do të vijojnë të ballafaqohen me të njëjtat probleme që bashkëjetuan sezonin e kaluar në rrezikshmëri totale për mbijetese. Fatmirësisht duhet thënë që Vllaznia u shpëtoi rënies, madje duke i kaluar paksa edhe parashikimet në raport me renditjen duke u pozicionuar në vendin e 6-të.
Por mund të shkonte edhe më keq duke marrë si shembull Elbasanin, i cili e pësoi keq, pasi me ndërtimin e Stadiumit të ri, “Elbasan Arena”, zbriti një kategori më poshtë. Ndaj, me të drejtë, i madh e vogël në qytetin verior e kanë mendjen tek kjo Vllaznia, e cila pasi la pas atë “hije të zezë”, që e mundoi jo pak gjatë sezonit, tani prej saj kërkohet të gëzojë këtë qytet që futbollin e ka si barometër.
Sa herë skuadra është në ditët e mira të saj edhe qyteti dhe mbarë komuniteti është në festë, entuziazëm dhe madje edhe shumë punë të të gjitha sferave shkojnë edhe më për mrekulli. Ndërkohë krejt e kundërta ndodh ku skuadra nuk paraqitet ashtu siç duhet, pasi në ato raste, ana emocionale peshon në të kundërtën.