AlbanianSport.com 21.05.2016 09:35
ASNN – Trajneri i portierëve të ballshiotëve ka shpallur divorcin nga skuadra “mëmë” për të vijuar karrierën në një tjetër ekip . Ermal Nexhipi, i cili ka mbajtur detyrën e ndihmëstrajnerit, por më shumë atë të përgatitësit të portierëve në Ballsh, duket se në vijim nuk do të jetë më pjesë e skuadrës “mëmë”.
Në një deklaratë dhënë dje enkas për “Sport Ekspres”, Nexhipi, ka theksuar me keqardhje se: “Pas një sezoni të mbushur me plot emocione, pozitive apo negative, unë e deklaroj të mbyllur kapitullin tim te Bylisi. Bëj me dije se largohem me keqardhje nga skuadra e zemrës, pasi punova me devotshmëri dhe me zemër për atë fanellë!”
“Ndjehem krenar për Bylisin dhe për atë skuadër që, unë së bashku me kolegët e mi, u munduam me mish e shpirt ta mbanim në kategori, – vijoi ai. – Falënderoj tifozët, presidencën, medien dhe persona të veçantë që punuan së bashku me mua deri në ditën e fundit për atë kohë që unë isha në Ballsh”
“I uroj suksese Bylisit dhe dëshiroj që sa më shpejtë të kthehet në elitën e futbollit të vendit tonë. Ne meritonim me shumë, por ky nuk është momenti që të kthehemi pas me fjalë, pasi tashmë ka përfunduar gjithçka”, – ka përfunduar trajneri i portierëve, Ermal Nexhipi, i cili e nisi karrierën tek Bylisi, por edhe atë si teknik, ku ka qenë edhe pjesë e stafeve të Gramshit e Tërbunit.