Bruno Kola për paratërinj, Përparim Roci për të rinj dhe Krisel Sota për elitë janë fituesit e etapës së parë që më shumti ka qenë me kronometër. Nuk ka qenë një ditë aspak e favorshme për të pedaluar, kjo pasi reshjet e shiut dhe era e fortë ishin të pranishme që në orët e para të mëngjesit të së premtes. Por kjo nuk e ka penguar Federatën Shqiptare të Çiklizmit për të zbatuar programin e planifikuar më herët për organizimin e Kupës “Agim Tafili”.
Një veprimtari kjo në kujtim dhe nderim të mjeshtrit të madh të çiklizmit shqiptar, Agim Tafilin, i ndarë nga jeta pak vite më parë, emri i të cilit ka një peshë jashtëzakonisht të madhe në historinë e çiklizmit, qoftë si pjesëtar i Vllaznisë dhe Partizanit, por dhe ekipit kombëtar. Në ndryshim nga vitet e mëparshme kur garat e kupës “Agim Tafili” janë zhvilluar në një ditë, veprimtaria në fjalë, që tashmë është shndërruar në tradicional për Federatën Shqiptare të Çiklizmit, këtë radhë është programuar të zhvillohet në dy ditë.
Dita i parë kishte në program pedalimin për tre kategori në dy etapa. Për kategorinë e paratërinjve, pedalimi ka nisur në Milot dhe ka përfunduar në Shkodër, ndërsa për të rinj dhe Elitë, nisja është në kryeqytet dhe ka përfunduar përsëri në Shkodër. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, pedalimi ka qenë i një niveli të mirë, atje ku reshjet e shiut, edhe pse të dendura, nuk janë bërë pengesë. Si zakonisht, finishet, ato që përcaktojnë edhe më të mirët janë edhe më emocionueset e garave çiklistike.
Dhe këto emocione kanë pasur shansin t’i shijojnë prej së afërmi sportdashësit shkodranë, të cilët si zakonisht kishin zënë vend aty rreth orëve të mesditës në sheshin e lagjes “Parrucë”, shesh ky tradicional ku kanë mbërritur përherë çiklistët, mes të cilëve edhe ai që mban emrin ky tur, Agim Tafili. Në vijim të traditës, në garën e kadetëve është përsëri një shkodran që duartrokitet. Emri i tij është Bruno Kola, djali i ish-çiklistit Leonard Kola, sot edhe në cilësinë e trajnerit të Vllaznisë.
Në vend të dytë dhe të tretë renditen Ridvan Tafili i Teutës dhe shkodrani tjetër Astrit Kronaj. Tek të rinjtë në tre vendet e para kanë qenë kavajasi Përparim Roci, shkodranit Kledison Cani dhe Mersin Durmishit të Partizani. E për të rritur tre vendet e para i kanë merituar Krisel Sota, Altin Sufaj dhe Marolino Hoxha. Ajo që ia vlen të theksohet është fakti se në këtë veprimtari është përfshirë edhe një çiklist shqiptar, që vjen nga Maqedonia, ndërsa konkurrimi i tij ka qenë jashtë gare.
Por me interes të drejtuesve ka qenë vëzhgimi i tij kanë raport me çiklistët e kampionatit shqiptar. Në bazë të programit të hartuar nga FSHÇ çiklistët pjesëmarrës sot do të përshkojnë etapën e dytë, Shkodër-Luf e kthim e në përfundim do të dorëzohet kupat për fituesit. Në përgjithësi kanë dominuar çiklistët e Apolonisë dhe të Vllaznisë, ndërsa kjo skuadër, edhe sipas trajnerit Leonard Kola, është duke u kthyer fuqishëm.
Kupa “Agim Tafili”
Çiklizëm – Meshkuj
Rezultatet teknike të etapës së parë:
Paratërinj
(Milot – Shkodër 54.5 km)
1) Bruno Kola (Vllaznia) 1h28’30”
2) Ridvan Tafili (Teuta) + 1”
3) Astrit Kronaj (Vllaznia) + 2”
Të rinj
(Tiranë – Shkodër 99.8 km)
1) Përparim Roci (Besa) 2h28’10”
2) Kledison Cani (Vllaznia) + 1”
3) Mersini Durmishi (Partizani) + 2”
Elitë
(Tiranë – Shkodër 99.8 km)
1) Krisel Sota (Apolonia) 2h21’20”
2) Altin Sufaj (Apolonia) + 1”
3) Marolino Hoxha (Apolonia) + 2”