Gjergj Vyshka 20.05.2016 10:25
Të dielën e kaluar në Pallatin e Sportit “Bashkim Lala” të Peshkopisë është zhvilluar Kampionati i 20-të Kombëtar i Taekuondosë në versionin “World” për fëmijë dhe paratërinj.
Sipas informacionit që Federata Shqiptare e Taekuondosë ka dhënë në profilin e saj në rrjetin social, “Facebook”, në këtë kampionat kanë marrë pjesë 135 sportistë, përfaqësues të 18 ekipeve.
Në përfundim për paratërinj “kampion” është shpallur Orteku, me trajner Julian Cacën, e pas tyre janë renditur “San Rei”, me trajner Ismail Kryemadhi dhe “Shqiponja” me trajner Sokol Cerën.
Ndërkohë, për fëmijë, “kampion” është shpallur Studenti, me trajner Xhevahir Hysën, i ndjekur nga “Gladiator”-i, me trajner Angjelin Mrrukun, dhe Tirana, me trajnere Arjola Kasajn.
Në planin individual, Sadik Tusha për paratërinj dhe Nok Përgjoka për fëmijë janë shpallur sportistët më të mirë të kampionatit, kurse sportisti i perspektivës ishte Albion Deda.