ASNN – Në lidhje me të ardhmen e tij në krye të Vllaznisë, duke folur pas mbylljes së kampionatit me atë fitore 1-0 ndaj Bylisit, trajneri Armando Cungu tha: “Unë jam i përgatitur për sezonin tjetër, por natyrshëm që pres takimin me drejtuesit e klubit dhe për të diskutuar për vazhdimësi për të parë projektet dhe idetë e tyre. Sepse edhe vetë normalisht duhet të dëgjoj drejtuesit për atë çka kërkojnë dhe çfarë buxheti kanë në dispozicion për të ndërtuar një ekip tjetër.”
“E kam shprehur edhe herë të tjera që do të jetë e papranueshme, jo vetëm për mua si Armando, por për mbarë opinionin sportive shkodran që Vllaznia të përpëlitet përsëri në kësi situatash aspak të këndshme, – vijoi ai. – Besoj se do të jetë sezoni i fundit që Vllaznia lundron në kësi ujërash të turbullta. Ndaj duhet ndërtuar një Vllazni tjetër për mendimin tim”. Në vijim, Cungu nuk ka kursyer as falënderimet, teksa thotë: “Absolutisht që kam falënderime dhe ato janë të shumta”.
Normalisht që ato shkojnë së pari për drejtuesit kryesorë më të lartë, të cilët bënë të mundur për mendimin tim një ndryshim rrënjësor në klubin e futbollit “Vllaznia”, me drejtues të ri, me ide të reja, – theksoi kreu i stolit të kuqebluve. – Njëkohësisht për këto djem me të cilët jam shumë i kënaqur me to, pavarësisht ndonjë ndeshje, apo oshilacioni që është i pranueshëm në futboll. Nuk duhet harruar se ka qenë edhe presioni shumë i madh tek këto djem për mbijetesë dhe nuk është gjë e vogël.”
“Kam lënë në fund jo pa qëllim tifozët e mrekullueshëm të Shkodrës, që në momentet më të vështira janë gjendur afër me përkrahje të madhe për të arritur rezultatet. Normalisht që në kësisoj momentesh besoj se miqtë e mirë duhen më fort, kështu që e kanë përmbush detyrën si shkodran të mirë të gjithë pa përjashtim”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu.