AlbanianSport.com 27.10.2014 20:25
ASNN – Kreshnik Krepi do të drejtojë ekipin velipojak duke nisur nga dita e sotme kur do jetë i pranishëm në seancën stërvitore. I cituar nga mediat lokale në Internet, Presidenti i Adës së Velipojës, Alfred Pjetri, ka thënë: “Ne u gjendëm disi të papërgatitur nga dorëheqja e parevokueshme e trajnerit Besnik Duli. Pas humbjes në Mamurras, ai më deklaroi se nuk mund të vazhdonte më punën me skuadrën tonë.”
“Në fakt unë e falënderoj për gjithë atë çfarë ka bërë për skuadrën gjatë kësaj periudhe, ndonëse na kanë munguar rezultatet, – ka vijuar ai. – Unë kurrë nuk kam dyshuar tek aftësia e tij si trajner dhe ndjehem mirë që kam punuar me të gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë pas largimit të tij, sigurisht që do gjenim një trajner tjetër dhe më mirë se Kreshnik Krepi nuk kishte tjetër.”
“Ai ka qenë shumë pranë pankinës së Adës edhe në verë, por duket se paska qenë e shkruar që të kthehet tani tek ne dhe së bashku do bëjmë çmos për kthimin e situatës”, – ka shtuar Pjetri. Ndërsa duke folur për mediat, trajneri Krepi zbuloi edhe lidhjet e tij me presidentin velipojak, duke thënë: “Nuk mund t’i thoja “jo” mikut tim Fred Pjetri”.
“E kam të qartë se Ada ndodhet në pozita aspak të mira, por së bashku të gjithë ne mendoj se do ia dalim, – ka përfunduar trajneri i ri i Adës së Velipojës, Kreshnik Krepi.