AlbanianSport.com 19.05.2016 07:55
ASNN – Sevilja ka fituar Ligën e Evropës për të tretën herë radhazi. Skuadra spanjolle ka mundur në ndeshjen finale Liverpulin me rezultatin 3-1. Fillimisht kanë shënuar anglezët me anë të Starrixhit që në pjesën e parë. Por në të dytën spanjollë shënojnë tre gola duke fituar kështu trofeun. Kështu, Sevilja është skuadra që ka fituar veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, Ligën e Evropës.
Në mbrëmjen e së mërkurës, në Bazel të Zvicrës, spanjollët të drejtuar nga trajneri Unai Emeri, kanë mundur Liverpulin me rezultatin 3-1. Një sfidë që u përcoll për teleshikuesit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Risi për këtë sfidë ishte përdorimi për herë të parë i teknologjisë, pra kamerat në vijën fatale të portës, për të evituar golat e dyshimtë.
Sfida në stadiumin e Bazelit është zhvilluar e bukur, me ritëm dhe me shumë raste për shënim. 45 minutat e para flasin për skuadrën angleze, që shënon me anë të Starrixhit në atë të 34-tin. Me fitoren 1-0 të Liverpulit mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë nis me gol për spanjollët, pasi brenda 30 sekondash, Gameiro ka barazuar rezultatin në 1-1. Ndërsa në të 63-ën është Koke kalon Seviljen në epërsi.
Një sulm i bukur i andaluzianëve, Koke merr një top fluturimthi dhe gjuan nga larg duke shënuar golin e dytë. Liverpuli është i çoroditur dhe duke kërkuar golin e barazimit krijon hapësira në mbrojtje. Nga kjo përfiton Sevilja që shënon edhe golin e tretë. Skuadra spanjolle është në delir. Fiton për herë të tretë Ligën e Evropës, ndërsa futbollistët anglezë së bashku me tifozët e tyre përjetojnë zhgënjimin.