Problematikën e hapur ditën e fundit në mes ish kompanisë që administroi Vllazninë, “Gea-Sport”, dhe klubit kuqeblu e ka pranuar publikisht edhe administratori i klubit, Astrit Gjyrezi. I pyetur dje rreth këtij problem, ai tha se “realisht është një çështje e tillë, por nuk janë ato shifra të cilat përmenden”. “Por, sidoqoftë, klubi “Vllaznia” dhe Bashkia ka marrë qëndrimin e vetë duke filluar edhe kundërshtimin në raport me kërkesën e tyre, – ka vijuar Gjyrezi.
“Do të marrim një studio ligjore, e cila do ta ndjekin hap pas hapi, – ka vijuar administratori i klubit kuqeblu. – Në bazë të dhënave të para, siç dihet, ato nuk është se kanë pas investime në klubin Vllaznia. Do t’ia lëmë etapave të vazhdimit të mëtejshëm të procesit gjyqësor”. Më tej, në vijim të prononcimit të tij përpara gazetarëve shkodranë, Gjyrezi shtoi se “derisa jemi në një proces që mund të shkojë drejt një procesi gjyqësor edhe ne duhet të mbajmë anën tonë.”
Sipas tij, klubi Vllaznia nuk e sheh të arsyeshme të bëjë të gjithë faktet publike për efekt të gjyqit që pritet të zhvillohet. “Si lidhja e kontratës dhe detyrimet që kjo kompani ka pas në drejtim të Bashkisë Shkodër dhe klubit “Vllaznia” mund të bëhen publike në ditët në vazhdim në varësi edhe të ecurisë së procesit. Gjithsesi ne jemi duke punuar në anën e dokumentacionit dhe përgatitjen për të mbrojtur interesat e klubit Vllaznia”, – përfundoi Gjyrezi.