ASNN – Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, në prononcimin e tij dhënë dje në mbyllje të seancës së fundit stërvitore anti-Bylis, ku ndër të tjera, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, ai flet edhe për çështjen “ Gea-Sport” si dhe për të ardhmen e tij dhe të skuadrës.
– Ka nisur Cungu të mendojë për sezonin e ardhshëm apo është herët?
– Çuditem me një shkrim që kam pa sot në një të përditshme sportive ku shkruhet se do të ikin ky apo ai sportist, pikëpyetje për një apo ndonjë tjetër, ku unë si trajner nuk i di akoma. Unë nuk kam vendosur akoma se cili do të iki dhe cili do të qëndrojë, ndërsa shkruhet në këtë mënyrë. Nëse ka ndonjë burim prej drejtuesve të tjerë të klubit, kishte bërë mirë që ta citojë dhe ta bëjë prezent, pasi nuk është absolutisht serioze të flitet me emra të tillë, ndërkohë që në ato emra që janë cituar janë lojtarë që kanë kontribuuar dhe unë jam shumë i kënaqur. Ka dyshime sikur janë në pikëpyetje, aq më tepër përpara një ndeshje që kërkojmë ta fitojmë dhe kjo i bie që t’i themi djemve që mos luani futboll sepse ti nuk do të qëndrosh më, apo ti tjetri je në pikëpyetje. Nuk arrij ta kuptoj një gjë të tillë. Mirë është që të mbaroj sezoni dhe atëherë do të shikoni nëse edhe unë do të jem prezent, do t’ju bëjmë të ditur çdo lëvizje, çdo mendim për Vllazninë e re, nuk ka arsye që të flasim përpara kohe.
– Për lojtarët që mund të vijnë ka nisur të mendohet?
– Unë personalisht si trajner kam menduar në mendjen time, por nuk jam ulur akoma më drejtuesit për t’ia bërë prezent. Kështu që kam thënë edhe një herë tjetër, kam ardhur tek Vllaznia me dëshirën më të madhe për të kontribuar për shumë arsye. Kam të drejtën morale për të kontribuar në çfarëdo moment tek kjo Vllazni, sikurse kam bërë një kontratë afatgjatë me këtë klub, por që në mbarim të sezon ka qenë në të drejtën time dhe dorën time rinovimi ose jo. Që do të thotë dëshira dhe vullneti tek unë nuk mungon, por nuk është në dorën e Armandos për të vazhduar me Vllazninë apo ajo. Është në dorën e drejtuesve që duhet të ulen me Armandon e të diskutojmë për shumë gjëra, natyrshëm edhe për emrat e sezonit të ardhshëm futbollistik. Unë jam i përgatitur, e kam të përpiluar projektin tim, idetë e mija prej kohësh dhe jo sot.
– Emri juaj po lakohet edhe në skuadrat e vendeve të para të kampionatit, edhe nëse nuk do të ketë projekt do të sakrifikoni?
– Emri im është lakuar edhe në janar, është lakuar edhe në verën e kaluar. Unë i falënderoj të gjithë këto ekipe që kanë besim tek unë dhe kanë dëshirë që të jem pjesë e projekteve të tyre. Por unë kam ardhur tek Vllaznia me një mendim dhe dëshirë shumë të madhe për të kontribuar tek ky klub. Jo më kot kamë bërë edhe një kontratë afatgjatë, por me rishikim në fund të këtij sezoni. Nëse nuk do të doja të firmosja më tek Vllaznia kisha firmos një kontratë 6-mujore dhe kaq. Dhe kjo kontratë që kam tregon që Armando Cungu ka ardhur për të vazhduar projektin tek Vllaznia, e ripërsëris nuk është në dorën time është në dorën e drejtuesve.