Gjergj Vyshka 17.05.2016 07:55
Studenti në volejboll për meshkuj dje paradite ka prezantuar trajnerin e saj të ri, ndërsa bëhet fjalë për Arben Sako, trajner që në Shqipëri ka drejtuar shumë skuadra për herë të fundit Tiranën në sezonin 2014-2015. Madje këtë sezon ka qenë edhe pjesë e kosovarëve të Lubotenit.
Ardhja e Sakos në krye të Studentit, kampion në fuqi e volejbollit të meshkujve, ka ardhur pas largimit të Ylli Tomorrit, që tashmë është trajneri i Partizanit. Për shefin e klubit shumësportësh të Studentit, Blendi Nallbani, kontributi i Ylli Tomorrit ka qenë i jashtëzakonshëm.
“Por ne nuk mund të shkelnim ligjet e shtetit shqiptar, – ka thënë ish-futbollisti bardheblu. – Ne e falënderojmë për punën që ka bërë me skuadrën tonë dhe për trofetë që i ka dhënë Studentit. U munduam ta mbanim me të gjitha mënyrat, por këto janë ligjet. Dhe u largua.”
“Tani mendojmë se me Arben Sako kemi bërë zgjedhjen e duhur për të vazhduar traditën e trofeve”, – ka shtuar Nallbani. Ndërkohë Sakos i ka pëlqyer atmosfera që ka gjetur në ekipin dhe klubin shumësportësh “Studenti”. “Studenti do të jetë një bast i fituar i imi”, – ka thënë Sako.
““Kampion” e kam gjetur dhe unë shpresoj që kampion ta bëjmë përsëri, – ka thënë tajneri i ri i ekipit të Studentit. – Do të ulem të bisedoj me lojtarët që përfunduan sezonin. Pastaj është zgjedhja e tyre, por Studenti përsëri do të jetë një skuadër ambicioze për trofe.”
Kështu “valsi” i stolave në volejbollin e meshkujve ka nisur shumë shpejt ende pa u tharë boja për emrin e kampionit të sezonit 2015-2016, apo ende pa u shuar jehona e festës së titullit. Gjithsesi, tashmë është fakt, Ylli Tomorri tek Partizani dhe Arben Sako tek Studenti janë emrat e rinj.