Gjergj Vyshka 16.05.2016 12:55
Kampionati Evropian Individual i Shahut, që është duke u zhvilluar në Gjakovë të Kosovës, ka mbërritur në turin e katërt nga 11 që janë për t’u luajtur. Për tanët janë dy fitore dhe dy humbje. Kështu ka fituar Rexhep Masha ndaj suedezit Lind Jan-Olov dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe Eglantina Shabanaj ndaj kosovarit Daut Krasniqi.
Ka humbur Diamant Yzeiraj me holandezin Jorgen Heseler, që është në kategorinë e moshës deri në 50 vjeç, si dhe Riza Bregu përballë 14-vjeçarit David Gravisku. Pas katër turesh, Rexhep Masha me 2 pikë renditet i 147-ti, Eglantina Shabanaj është e 176-ta teksa ka 1.5 pikë.
Dhe me nga një pikë Riza Bregu dhe Diamant Yzeiraj ndodhen në vendet 200 dhe 215 të renditjes së përgjithshme të këtij Evropiani, që përfundon më 23 maj.