Gjergj Vyshka 14.05.2016 18:45
Drejtori i Klubit Shumësportësh “Partizani”, Shkëlqim Muça, ka bërë të ditur se është kërkesë e tij për ringritjen e ekipeve të munguara në klubin e kuq. Njëri prej të cilëve edhe volejbolli i meshkujve. “Ka 10-11 vjet që mungon ky ekip për shkak fondesh”, – ka deklaruar ai.
“Jam i lumtur për rinisjen e këtij projekti për një Partizan “kampion”, ashtu sikurse ka qenë në epokën e tij, – ka theksuar Muça. – Jo vetëm kaq, por ndihem mirë që edhe trajnerit Tomorri, kampion nën siglën e Studentit, e pranoi këtë projekt. Suksese, ndërsa shumë shpejt do të diskutojmë edhe për detajet”.
Ndërkohë sa për stërvitjen, fillimisht do të bëhet në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” për të kaluar më pas në sallën e re të fshatit olimpik. Ndërkohë, ka përshëndetur edhe Përparim Kapo, i cili ka kujtuar kohët e arta të volejbollit shqiptar të meshkujve.
Madje, duke përmendur emra të tillë si Petrit Murzaku, Andon Kona, Petrika Suxho, Mark Krroqi, mes të cilëve dhe Ylli Tomorrin, ai e ka mirëpritur këtë ringritje të Partizanit në volejboll. “Sepse unë shpresoj që të vijë dhe Dinamo, pasi kështu do të kemi më shumë skuadra në volejboll dhe më shumë njerëz në Pallat”, – ka thënë ai.