Pasi ka kaluar me sukses edhe ballafaqimin e dytë gjysmëfinal të fazës së “play-off”-it, ekipi “kampion” në fuqi Flamurtari i Vlorës është zyrtarisht në finalen e madhe për betejën e titullit.
Ndonëse mikeshat nga Vlora dukeshin të sigurta në misionin e kualifikimit, pa shkuar në një ndeshje të tretë, ndeshja e dytë e luajtur dje në mesditë në Shkodër e ka paraqitur Vllazninë në dy momente të mira.
Këto i takojnë fillimit dhe fundit të takimit. Në nisje, shkodranet e drejtuara nga trajneri Rajmond Rasha dhanë shkëndija për udhëheqjen e rezultatit duke të krijuar idenë se mund ta mbajnë edhe në vazhdimësi.
Por, më pas, sidomos në dy pjesët e mesme, atë të dytë dhe të tretë, epërsia e mikeshave ishte e padiskutueshme, aq sa i dha mundësi trajnerit Toska të aktivizojë në fushë elementin e ri.
Vllaznia me një rritje të dukshme të lojës e ngushton ndjeshëm epërsinë, duke përcjellë paksa tension në kampin vlonjat. Toska rikthen në lojë 5-shen më të mirë dhe me vështirësi arrin ta mbajë epërsinë, duke e fituar me meritë të gjithë takimin me shifrat 70-75.
Vllaznia – Flamurtari 70-75 (0-2)
(15-19, 20-23, 11-21, 24-12)
Vllaznia: Mustafa (7), I. Dashja (29), Basha (9), A. Dashja (16), Berania (9) / Kraja, Berhani, Çoçja, Lisi. Trajner: R. Rasha
Flamurtari: Myrto (6), Zykaj (27), Kostallari (6), Plasa (10), Palko (19) / Hysaj (3), Lloi, Hasanaj, Kasaj (4), Rrapaj, Bleta. Trajner: V. Toska
Gjyqtarë: G. Cici, E. Allaraj, O. Kasmi (Tiranë)