Trajneri kryeqytetas, Roland Avrami ka mbetur shumë i pakënaqur nga skuadra për sfidën e parë gjysmëfinale të “play-off”-it të luajtur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. “Me thënë të drejtën skuadra në përgjithësi luajti dobët në këtë ndeshje”, – pohoi ai.
“Pothuajse nuk i realizoi detyrat, sidomos në mbrojtje, po gjithashtu nuk mund të lë pa përmendë edhe sulmin, i cili ishte dobët në organizim. Si pasojë kundërshtari përfitoi disa sulme që në një ndeshje që t’i pretendon të fitosh janë shumë”, – tha Avrami për duke folur menjëherë pas ndeshjes.
Duke analizuar më në hollësi skuadrën e tij, Avrami tha se konstaton se ka disa probleme, por që ka menduar që në këtë fazë skuadra do t’i rregullonte disi. “Në ndeshjen e ardhshme besoj që ne do të paraqesim diçka tjetër në fushën e lojës me qëllim që ta bëjmë kampionati pak më konkurrues, pasi skuadra nuk tregoi asgjë dhe ndoshta në Tiranë mund të tregojmë diçka më shumë”, – përfundoi trajneri i Tiranës.