Gjergj Vyshka 11.05.2016 17:05
Klubi privat i basketbollit, “Tirana Eagles Basket”, ka ndryshuar presidencën. Një gjë që ishte paralajmëruar që më parë, edhe sepse më 8 prill 2016 kishte dhënë dorëheqjen presidenti Pirro Tanku.
E dorëheqja e tij, shpjeguar dhe në letrën e lëshuar prej tij më 8 prill, ka ardhur për arsye personale, ndërsa të gjitha funksionet që kryente i kanë kaluar Asamblesë së Përgjithshme të kësaj shoqate.
E deri në zhvillimin e kësaj Asambleje, apo deri në mbledhjen, që është kryer tashmë, gjithçka është mbuluar nga Sekretari i përgjithshëm i shoqatës Tirana Eagles Basket, Sokol Avxhiu.
Pikërisht dje, Asambleja e Përgjithshme e kësaj shoqate pasi ka miratuar dorëheqjen e Pirro Tankut ka kaluar në zgjedhjet për president ku është votuar për Klarent Dedajn, që ishte dhe trajneri i ekipit të parë.
Në përfundim me unanimitet për mandatin katërvjeçar Klarent Dedaj do të jetë presidenti i shoqatës Tirana Eagles Basket, ndërsa tashmë do të bëhen legalizimet e këtyre zgjedhjeve në gjykatë.